Shperndaje:

Zhvillimi i aftësive sociale për fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit, mund të jetë sfiduese por ka aktivitete të cilat nxisin dhe ndihmojnë për të rritur ndërveprimin social. Në fakt, kjo sfidë përmban një peshë të madhe në trajtën e të gjithë spektrit dhe është një fushë me një fokus thelbësor për shumë terapistë, prindër dhe mësues. Ne, duhet të jemi një mbështetje e fortë për këta fëmijë duke i nxitur në përfshirjen e sa më shumë aktiviteteve sociale.

Fëmijët në spektër, tipikisht priren të përqëndrohen në një stil të vetëm mësimi, dhe përdorimi i imazheve vizuale, duke qenë një nga pikat më të forta të fëmijës, mund të jetë më efektive në mësimin e aftësive sociale. E rëndësishme është të sigurohemi që të kemi vëmendjen e plotë të fëmijëve përpara cdo aktiviteti që aplikojmë me ta.
Të ndash materialet me të tjerët mund të jetë efektive në të mësuarit e disa aftësive njëkohësisht; si shkëmbimi i objekteve, komunikimi verbal apo zhvillimin e empatisë për tjetrin.

Secila prej këtyre aftësive të pavarura është e vështirë për një fëmijë me autizëm, prandaj një aktivitet i tillë gjithëpërfshirës mund të ishte sfidues për ta. Një histori hipotetike me në thelb tematika të tilla shoqërore është një mënyrë e shkëlqyer për të mësuar mënyrën sesi duhet të reagojnë ata në situata të tilla, përpara se realisht të përballen me një eksperiencë reale.

Komunikimi joverbal, veçanërisht fokusuar në shprehjet faciale, mund të jetë gjithashtu një sfidë për fëmijët me autizëm, pasi ata në vend që të fokusohen në shprehjen e fytyrës si një e tërë, ata fokusohen në pjesët e fytyrës që po realizojnë shprehjen. Ushtrimi tyre mund të bëhet duke vendosur një pasqyrë përpara fëmijës dhe të praktikojmë leximin dhe imitimin e shprehjeve të ndryshme të fytyrës. Kjo mund t’i ndihmojë ata të komunikojnë në mënyrë efektive dhe empatike me të tjerët.
Fillimi i një bisede mund të jetë i ndërlikuar, veçanërisht për fëmijët me autizëm. Këta fëmijë mund të kenë probleme të komunikimit në situata sociale, pasi nuk janë të pajisur me strategji bisedimi, ku mungojnë mënyrat sesi të iniciojnë një bisedë, mungojnë elementët joverbalë për tu angazhuar në të dhe mund të kenë probleme me ndjeshmërinë në raport me të tjerët.

Përdorimi i kartave me elementë të një bisede mbi tematika të ndryshme, u jep fëmijëve eksperiencë për të nisur ata një bisedë dhe të presin rradhën për të komunikuar në një formë funksionale në një ndërveprim dysh apo më gjerë.
Loja përmes të vepruarit, duke përdorur skenarë me në fokus ndërveprimet sociale dhe emocionale mund të jetë shumë argëtuese dhe interaktive për ta. Një grup fëmijësh mund të shkruajnë një pjesë në letrën e tyre dhe në fund shkëmbejnë letrat duke vendosur në skenë gjithësecili atë që i ka rënë nga letrat që ata tërheqin. Përmes saj, ata rritin përqëndrimin, bashkëpunimin dhe marrin mesazhe sociale në një grup të madh bashkëmoshatarësh e më tej.

Në moshat e hershme, ku autonomia për të ndjekur nevojat themelore mund të mos jetë e instaluar mirë, modelimi i sjelljeve bën të mundur mësimin e aftësive dhe ndjekjen e liderit, si për shembull mund ti kërkojmë fëmijës të ndjekë lëvizjet që ne bëjmë ‘do të ha mëngjes, po marr qumështin, tani po marr drithërat’. Kjo metodë mëson aftësitë funskionale ditore si dhe bashkëpunimin me të tjerët.
Pa marrë parasysh se cilin aktivitet mund të përdorim, të punuarit drejtpërsëdrejti në aftësitë sociale është një mënyrë e shkëlqyer për të përmirësuar cilësinë e jetës së fëmijës.
Loja është ndër aktivitetet më të dobishme, pasi është një mënyrë e natyrshme për fëmijët që të mësojnë aftësi të reja dhe aktivitete të tilla mund të përmirësojnë ndërveprimin social dhe aftësitë e të komunikuarit.
Ata, mund të mësojnë të përshtaten me situata të reja ose të superojnë tranzicionin midis aktiviteteve të ndryshme, gjë që mund të jetë një sfidë e madhe për shumë fëmijë me autizëm. Ata, gjithashtu do të mësojnë se si të vonojnë përfitimin e kënaqësisë, të identifikojnë dhe rregullojnë përgjigjet emocionale dhe të rrisin përqendrimin në detyrat e kërkuara.

Interesi social dhe nevoja për nderveprim, zhvillohen bashkë me individin, ndaj duhet të ndihmojmë e mbështesim fëmijët në zhvillimin e këtyre aftësive për të shprehur veten.

Shperndaje:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do te publikohet. Fushat e kerkuara jane te shenuara me simbolin *